TUMO Tirana
Në Shqipëri, kjo qendër inovatore vjen si një nismë e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë. Nxënësit në TUMO Tirana kanë në dispozicion nje hapësirë moderne me laboratorë mësimorë, auditore, studio muzikore dhe e shumë ambiente te hapura studimi.
Qendra TUMO është një organizatë jo fitimprurëse e themeluar nga Fondacioni Simonian për Arsimin. Për herë të parë, qendra u hap ne Jerevan, Armeni në vitin 2011. Gjatë viteve të fundit, qendra ka marrë një vëmendje të madhe ndërkombëtare për shkak të filozofisë së saj unike në fushën e edukimit. Për më tepër, shumë personalitete të rëndësishme kanë shprehur vlerësimin maksimal për TUMO, duke sjellë hapjen e qendrave në qytete si Parisi, Bejrut, Berlin, Moskë e më në fund dhe në Tiranë.
TUMO Tirana sjell risi në fushën e edukimit në Shqipëri, larg mënyrës tradicionale të të mësuarit në klasë. Studentët mësojnë në mënyrë të pavarur dhe plani mësimor ndiqet në anglisht, përmes një platforme të quajtur TUMO Path, e cila i lejon ata të krijojnë një plan të personalizuar duke ju përshtatur kurrikulës së shumëllojshme. Njohuritë që fëmijët fitojnë nga ky program mësimor do ti ndihmojnë ata në krijimin e një portofoli personal në fushat e: Programimit, Animacionit, Zhvilim Lojrash Kompjuterike, Dizajn Grafik, Filmografi, Robotikë, Muzikë dhe Modelim 3D.